Elton Nika
Mesfushori shkodran, Erjon Vucaj, e sheh të ardhmen e tij në një kampionat të huaj. Ai u huazua nga Flamurtari te Laçi për ndeshjet europiane, por më pas u fol për një kalim të tij në kampionatin polak. Vucaj është ende nën kontratë me vlonjatët, pasi verën e kaluar firmosi për dy sezone, megjithatë drejtuesit e këtij klubi, konkretisht administratori Idrizi, u shpreh se nuk do ta pengonte lojtarin në fjalë për të luajtur jashtë. Tashmë që Laçi i ka mbyllur llogaritë me Kupat e Europës, shkodrani shprehet për “Sport Ekspres” se mendon të luajë jashtë kufijve, ku veç Polonisë është edhe Turqia një pistë e mundshme: “Nuk ka marrë ende një vendim përfundimtar, – shprehet Vucaj. – E kam mbyllur tashmë aktivizimin me Laçin në Kupat e Europës. Kam pasur ofertë nga kampionati polak, por së fundmi ka pasur interes edhe nga kampionati turk për mua. Emri i skuadrës le të mbetet sekret deri në një moment tjetër. Me Flamurtarin luajta një sezon dhe të gjithë në Vlorë më respektuan, pavarësisht se nuk arritëm të shkonim aty ku dëshironim. Me klubin vlonjat kam për të mbyllur edhe diçka në anën financiare dhe e përsëris se tashmë ka ardhur koha të luaj diku tjetër, në një kampionat më të fortë se kampionati shqiptar. Do të takohem me drejtuesit e Flamurtarit dhe do të bisedoj, por shpresoj dhe besoj shumë se do të luaj jashtë vendit. Po shoh me kujdes ofertat nga skuadrat polake dhe ajo turke dhe shumë shpejt do të vendos”, – ka përfunduar Vucaj. Drejtuesit e Flamurtarit janë shprehur se nuk do të bëhen pengesë për lojtarin, nëse zgjedh të luajë jashtë vendit, ndërkohë që në këtë rast nuk dihet çfarë parashikon egzaktësisht kontrata mes palëve. Nëse kemi të bëjmë me një prishje të njëanshme, pra nga Vucaj, lojtari ka një detyrim ndaj klubit vlonjat. Por është edhe mundësia që gjithçka të zgjidhet me konsensus.
MESFUSHA – Mesfushori shkodran ishte një lojtarët më të preferuar në Vlorë dhe largimi i tij nuk ka lënë shije të mirë, aq më tepër mënyra si rrodhën ngjarjet, pasi klubi i dha lejë Vucajt vetëm për aktivizimin me Laçin në Europa League. Vlonjatët kanë të gatshëm në mesfushë Telushin dhe Lenën nga titullarët, ndërkohë që janë afruar çeku Petr Trap dhe kosovari Ylli Hoxha. Sigurisht që do të bëhen përforcime të tjera edhe në këtë rapart, sidomos në krahun e djathtë. Alternativa janë edhe Shehaj, Maxhuni dhe i riu Bregu, ndërkohë që pranë firmës është edhe Murataj. Por trajneri Levi kërkon më tepër kualitet në çdo repart dhe pritet që me ekipin të bashkohen edhe disa elementë të tjerë gjatë këtyre ditëve.
2 oferta
ka në këtë moment Vucaj. E para është nga kampionati polak, konkretisht nga Podbedskidzie, kurse e dyta është nga kampionati turk, por emri i skuadrës nuk bëhet ende i ditur nga shkodrani.