Andi TANKU
Tirana arrin marrëveshjen me sulmuesin Masato Fukuin. Japonezi ka qenë dje prezent në kompleksin “Skënder Halili”, ndërsa ka firmosur kontratën me klubin e tij të ri. Fukui ka mbërritur dje në kryeqytet, ndërsa ka gjetur akordin me drejtuesit e Tiranës. Nga ajo që bën me dije zyra për shtyp e klubit bardheblu, sulmuesi japonez do t’i bashkohet ekipit të drejtuar nga Muça pasi të ketë kryer vizitat mjekësore. Drejtuesit e Tiranës kishin bërë me dije se çështja e sulmit do të merrte zgjidhje brenda kësaj jave, ndërsa pas afrimit të Fukuit, bardheblutë mendohet se do të përforcohen edhe me një tjetër lojtar që luan në repartin e avancuar. Japonezi mësohet se luan në krahun e djathtë të sulmit, por që ka provuar gjithashtu të aktivizohet edhe në qendër të këtij reparti. Ish-futbollisti i Sutjeskës së Malit të Zi do të prezantohet me fanellën e 24 herë kampionët e vendit në ditët në vijim, ndërsa ai është përforcimi i 7-të i Tiranës në këtë merkato vere.
KARRIERA– 26-vjeçari e ka nisur karrierën e tij me ekipin e vendlindjes në ligën e dytë të Japonisë, Ganaire Totori. Më pas, për një periudhë të shkurtër, Fukui u aktivizua në Singapor me skuadrën e Home United. Në dy vitet e fundit, sulmuesi japonez ka luajtur për Sutjeskës, duke realizuar 12 gola. Gjithashtu, ai realizoi disa ditë më parë një gol edhe në raundin e parë Eliminator të “Europa League”, kundër Debrecenit.
TIFOZËT– Por duket se një lëvizje e tillë e Tiranës nuk ka ngrohur aspak tifozët bardheblu, të cilët në profilin zyrtar të facebook-ut të klubit kryeqytetas kanë ironizuar afrimin e Fukuit, madje edhe me nota humori. Fakti që ka realizuar pak gola në dy sezonet e fundit me Sutjeskën, ka bërë që fansat bardheblu të tregohen skeptikë në lidhje me aftësitë e 26-vjeçarit japonez. Një reagim i tillë ka ardhur edhe për faktin se gjatë gjithë kësaj kohe, drejtuesit e klubit kanë trumbetuar se në këtë merkato vere do të afrohen sulmues të afirmuar. Por duket se skeda e “varfër” e japonezit nuk ka bindur tifozët e Tiranës të cilët me ironi janë shprehur se shpresojnë që të jetë më efikas se Bushiç.
7 PËRFORCIME
Ka kryer Tirana në këtë merkato vere. Dushku, Smjali, G. Lika, Gërçaliu, Teqja, Kvadanski dhe Fukui i janë bashkuar skuadrës bardheblu gjatë muajit të fundit.