Gaspër MARKU
Me seancën e djeshme Vllaznia i ka dhënë fund javës së 4-t të përgatitjeve për sezonin e ri futbollistik. Një seancë kjo e zhvilluar në fushën sportive “Reshit Rusi”, që ka qenë vërtet e ngarkuar në programin e saj. Ajo ka nisur në orën 18:30 dhe ka zgjatur më shumë se dy orë. Pjesë e saj ka qenë edhe një ndeshje kontrolli, që për aq sa u pa në fushë, pati rivalitet dhe luftë sportive mes dy grupeve. Madje, për luftën sportive duhet thënë se në disa raste ishte vërtet e fortë, duke ngjasuar me një ndeshje kampionati. Për këtë fakt shumë sportdashës, që po ndiqnin ndeshjen nga tribunat, shprehnin kënaqësinë dhe shpresën se sezonin e ri do të shohin në fushë një Vllazni plot grintë dhe shpirt gare. Gjithçka është përcjellë në seancën e djeshme, është ndjekur nga afër nga dyshja drejtuese e klubit, Kalamishi-Grima, ndërkohë që i pranishëm ka qenë edhe shefi i zyrës rajonale të FSHF-së, Hysen Zmijani. Ky i fundit, në të shumtën e rasteve, nuk nguron të jetë i pranishëm në seancat stërvitore të Vllaznisë edhe për faktin se një pjesë e futbollistëve që mbërrijnë për testime kanë qenë pjesë e kampionateve të ligës amatore veriore, që ai drejton.
ANTI-ZETA – Të hënën, në orën 18:30, Vllaznia do të zhvillojë miqësoren e parë të kësaj periudhe përgatitore dhe e fillon përballë skuadrës malazeze Zeta. Kjo ndeshje do të luhet në stadiumin e qytetit të Tuzit, ku një përqindje e madhe e popullsisë është shqiptare. Duke qenë tri përpara kësaj miqësoreje, tekniku Zmijani ka projektuar edhe formacionin, me të cilin pritet të luajë ndaj malazezëve të Zetës. Pjesë e formacionit janë edhe katër blerjet e reja, Jasir Selmani, Andrija Dragojeviç, Darko Paviçeviç dhe Stefan Cicmil. Dragojeviç në portë, Gurishta në krah të djathtë, Cicmil dhe Marku në qendër dhe Hakaj në të majtë është katërshja e mbrojtjes, për të vijuar me Dycën, Bardullën, Krymin dhe Shtubinën në mesfushë, ndërsa në sulm do të jenë Selmani dhe Paviçeviç. Me këtë formacion tekniku Zmijani luajti në pjesën e parë dhe me të gjitha gjasat do ta fillojë lojën edhe në miqësoren e së hënës.
DËMTIMET – Në momentin më të mirë, që trajneri Zmijani, së bashku me kolegët e tij Dibra dhe Dani, po shijonin lojën, që po pëlqehej nga të pranishmit, kanë ardhur dy dëmtime titullarësh. Fillimisht ka qenë Shtubina, i cili e ka pasur të pamundur të vazhdonte. Me sa duket, nga ritmi i lartë që mori në vetvete ndeshja e kontrollit, ai është sforcuar dhe ka pësuar një kontraktim muskulor. Pas pak minutash, si rezultat i një përplasjeje në mesfushë, ka ardhur edhe dëmtimi i mesfushorit Bardulla, i cili ka kaluar në anë të fushës, nën kujdesin e mjekut Zyhdi Çoba. Probleme, që nuk e lejuan të vazhdonte pjesën e dytë, pati edhe qendërsulmuesi Paviçeviç. Situata në fjalë ishte jo pak shqetësuese për teknikun Zmijani, të cilit brenda pak minutash iu desh të ndryshojë shumë gjëra, duke modifikuar formacionin me elemente të tjerë të kontigjentit kuqeblu. Gjithsesi, duke shpresuar se deri të hënë gjendja e të dëmtuarve do të jetë e përmirësuar dhe e normalizuar, emrat që luajtën në pjesën e parë pritet të përbëjnë formacionin ndaj Zetës.
Ja formacioni i Vllaznisë aktuale
Dragojeviç
Gurishta Cicmil Marku Hakaj
Shtubina Bardulla Krymi Dyca
Selmani
Paviçeviç
Seleksionimet
Ndeshja e luajtur pasditen e djeshme në “Reshit Rusi” kishte në vetvete si qëllime dhe testimin e disa futbollistëve të ardhur për provë te Vllaznia, një pjesë nga ekipet shqiptare, por edhe nga Kosova dhe Maqedonia. Siç u tha përpara fillimit të seancës stërvitore, për Zmijanin dhe kolegët e tij ky ishte testi i fundit për këta lojtarë. Pas përfundimit të seancës, në vendimin e marrë nga ana e trajnerit Zmijani dhe të bërë publik pak më vonë edhe nga zyra e shtypit pranë klubit Vllaznia, bëhet e ditur se në listën e gjatë të atyre që janë stërvitur prej sa ditësh me kuqeblutë, krahas dyshes Beci-Kapkalia, do të jenë pjesë e skuadrës në vazhdim edhe sulmuesi Kiri, i ardhur nga Ada, mesfushori-sulmues Hebaj, mbrojtësi Ruçi dhe kosovari Ramadani. Ky i fundit vjen nga Zvicra dhe luan në mesfushë.