
Seria A dëshiron që të marrë shërbimet e mbrojtësit te kuq.
Armand Halili
Pas Ardian Cuculit dhe Amir Rrahmanit drejtuesit e skuadrës së Partizanit mund të përballen me një tjetër largim. Këtë herë bëhet fjalë për Arbnor Fejzullahun, i cili mund të jetë një nga ikjet e bujshme të të kuqve në merkato, pasi për të interesohet skuadra e Karpit, e sapongjitur në Seria A.
Sipas gazetarit të njohur italian, i cili është edhe një nga specialistët e merkatos, Gianluca Di Marcio, drejtuesit e ekipit të Karpit janë vënë ng gjurmët e lojtarit, duke qenë se pëlqejnë karakteristikat e tij. Vetë 22 vjeçari në asnjë moment nuk e ka mohuar interesimin e tij, nga disa ekipe jashtë vendit, ndërkohë që pak ditë më parë një opsion i mundshëm për largimin e tij ka qenë skuadra e RNK Split në kampionatit Kroat.
Në ditët në vijim pritet që nga klubi italian të ketë edhe një interesim konkret në zyrat e klubit të Partizanit për të nisur bisedimet në lidhje me transferimin e mbrojtësit të krahut të djathtë në Seria A.
Kontrata – Ndryshe nga largimi i Rrahmanit, në rast të një transferimi të Fejzullahut në një skuadër jashtë vendit, klubi i kuq do të përfitojë financiarisht. Kjo pasi, lojtari ka një kontratë 3 vjeçare me Partizanin, nga e cila ka konsumuar vetëm një vit.
Në një situatë të tillë, kur interesimi për futbollistin vjen nga një ekip i elitës në futbollin italiane dhe fatura financiare parashikohet të jetë e madhe. Nuk duhet të harrojmë se Fejzullahu ka bërë një sezon të shkëlqyer me skuadrën e Partizanit, duke u aktivizuar në 33 ndeshjes. Gjatë kësaj periudhe ai ka arritur të marrë edhe një ftesë nga ekipi Kombëtar, që drejtohet nga Xhani De Biazi për takimin që u luajt ndaj Francës.
Mbrojtësi u bë pjesë e Partizanit gjatë merkatos së verës një sezon më parë, pasi më herët kishte luajtur te skuadra e Besës. Përveç se në pozicionin e krahut të djathtë të mbrojtjes, ai është përdorur shpesh herë edhe si shkatërrues, ku gjithashtu ka treguar një formë të mirë. Në rast të një largimi të tij, drejtuesve të kuq do t’i duhet të gjejnë një tjetër futbollist në këtë pozicion, edhe pse aty mund të luajë Labinot Ibrahimi.