Kombëtarja shqiptare mbylli kualifikueset e Euro 2024 me barazim, teksa në “Air Albania” u ndalën në 0-0 nga Ishujt Faroe. Gjithsesi mbrëmja e djeshme ishte një ditë festë për kuqezinjtë, të cilët siguruan kualifikimin për në Gjermani që në transfertën moldave.
Sylvinho bëri disa ndryshime në formacion, plot 5 në krahasim me duelin me Moldavinë. Padiksutim braziliani është “arkitekti” i kësaj skuadre, e cila ka emocionuar çdo tifoz në këto kualifikuese. Si asnjëherë më parë skuadra jonë përfundon e para në grup, ndërsa ka arritur të koleksionojë plot 15 pikë.
Një sukses i jashtëzakonshëm që tashmë e bëjnë ekipin tonë të jetë mes skuadarve favorite dhe shanset janë që në grup të peshkojë skuadra më të lehta në letër. Sylvinho ndërtoi një superskuadër, e cila e ktheu “Air Albanian” në një “fortesë”. Në 8 ndeshje të zhvilluara shënuan 12 gola dhe pësuan vetëm 4.
Braziliani parakalon edhe Gianni De Biasin, me këtë të fundin përjetuam emocionet e para të finaleve të në europiani, teksa ishim në Francë 2016. Italiani ia doli që në 8 ndeshje të grumbullonte 14 pikë.
Rekordi thyhet dhe tashmë Sylvinho është ai që udhëheq. Të tjera emocionet do të na presin në Gjermani për të shijuar një tjetër europian spektakolar.