Home Aktualitet Kukësi bën gati mbrojtjen në UEFA

Kukësi bën gati mbrojtjen në UEFA

226
0
Sponsor

Shefi i klubit të Kukësit, Jonuz Hallaçi, deklaron se në UEFA do të dërgohet një dosje e plotë me fakte nga ngjarjet e ndodhura në ndeshjen me Legian. Kuksianët pretendojnë të rinisë takimi në minutën që u ndërpre

 

Sponsori ynë

Florian Behlula

 

Kukësi nuk humbet kohë. Klubi verilindor e konsideron të papranueshëm vendimin për ndërprerjen e ndeshjes kundër Legias së Varshavës. Shefi i klubit, Jonuz Hallaçi, zbulon për Sport News hapat që do të ndiqen në instancat e UEFA-s, ku do të vendoset për fatin e ndeshjes dhe klubit verilindor pas episodeve të pakëndshme që u regjistruan mbrëmjen e së enjtes në “Qemal Stafa”. “Vazhdojmë punën për grumbullimin e materialeve për provat juridike dhe ligjore për të kundërshtuar me forcë vendimin arbitrat të gjyqtarit të ndeshjes, i cili nuk ndoqi hapat e rregullores së futbollit. Do të bëjmë të pamundurën që të kopsitim një dosje të plotë”, tha Hallaçi.

Arbitri – Për klubin kuksian gjithçka është e qartë, ishte arbitri kryesor Stefan Klosner ai që vendosi ndërprerjen e ndeshjes. Sipas Hallaçit, ai nuk mori parasysh asnjë propozim të bërë nga ana e zyrtarëve të klubit shqiptar, duke marrë një vendim deri diku abstrakt. Zyrtari i klubit verilindor thekson: “UEFA ka dërguar sinjale për të vazhduar takimin. Arbitri shfaqi dyshime për ecurinë e ndeshjes që në pjesën e parë. Vendimin përfundimtar e mori ai, duke mos marrë parasysh garancinë që i dhamë ne për të zbrazur stadiumin”.

Provokimet – Pika më e fortë e mbrojtjes do të bazohet në faktin se asnjë tifoz nuk hyri në fushë për të rrezikuar vazhdimësinë e ndeshjes, ndërsa Hallaçi thekson se sjellja e tifozëve polakë ishte jokorrekte. Për të, ky është një skenar i parapërgatitur nga segmente që dëshironin destabilizimin e situatës: “Askush nga ne nuk provokoi i pari, madje këtë e bënë tifozët dhe lojtari serb që shënoi golin. Nuk përjashtoj edhe një pjesë të vogël të tifozerisë së Kukësit që ranë pre e provokimeve dhe kontribuuan që Kukësi të ndëshkohet. Ata tifozë nuk kishin lidhje me Kukësin. Duda ndërroi fanellën dhe ishte gati për të luajtur dhe këtë e panë të gjithë”.

Gjici – Hallaçi shton më tej se Kukësi do të kërkojë përsëritjen e ndeshjes ose vazhdimin e saj në minutën ku u ndërpre, ndërsa nënvizoi faktin se kjo ngjarje mund të ndikojë në të ardhmen e klubit, pasi presidenti Safet Gjici do të rishikojë pozicionin e tij në krye të Kukësit. “Personi që është prekur më shumë nga ajo shfaqje është presidenti Gjici. Ai ndodhet në një pozicion të tillë që do të rishikojë pozicionin e tij në përfundim të vendimit të UEFA-s. Mund të marrë një ekip me më shumë emër”, përfundoi shefi i klubit të Kukësit, Jonuz Hallaçi.

Sponsored b
Previous articleHabit policia: S’pati incidente mes tifozëve, në Kukësi-Legia!
Next articleXhanoti drejt emërimit Drejtor Teknik te Partizani