
Gaspër MARKU
Një rikthim i mesfushorit Arsid Kruja tek Vllaznia do të ishte i mirëpritur. Ky është mesazhi që drejtori sportiv, Armir Grima dhe trajneri Luan Zmijani i kanë përcjellë mesfushorit të talentuar në dy takimet e njëpasnjëshme të realizuara brenda kësaj jave. I cilësuar si “talenti i vitit” për sezonin e kaluar, pas një këmbënguljes së menaxherit të tij, Kruja la Vllazninë në periudhën e ndërrimit të viteve për t’u bërë pjesë e skuadrës arabe Al Hajer. Megjithatë, falë njohjes dhe bashkëpunimit që drejtuesit e këtij klubi kanë me ato të Flamurtarit të Vlorës, bënë që Kruja të luante si i huazuar gjysmën e sezonit të kaluar në kampionatin shqiptar të Superligës për ngjyrat vlonjate. Sipas formulës së nënshkrimit të kontratës, Kruja ecurinë e karrierës së tij duhej ta kishte në kampionatin e Arabisë Saudite, atje ku edhe ka qenë destinacioni kryesor i tij.
Çështja e kontratës – Megjithatë, duke i ndjekur gjërat në distancë duket se jo gjithçka ka shkuar si duhet. Sinjalet e para u dhanë nga zyrtarët e klubit kuqeblu, të cilët rreth një muaj më parë bënë të ditur se pala arabe nuk ka qenë korrekte me zbatimin e kontratës, e cila parashikonte që një pjesë të shumës që i detyrohej Vllaznisë për marrjen e kartonit përfundimtar të Krujës ta shlyente deri në mbyllje të sezonit të kaluar. Në të tilla kushte, përderisa një marrëveshje e tillë nuk është zyrtarizuar, drejtuesit e klubit kuqeblu nuk nguruan të deklarojnë se Kruja është futbollist i tyre dhe madje për këtë stafi teknik filloi t’i bënte llogaritë me ish-futbollistin në listën e skuadrës së sezonit të ardhshëm. Një situatë kjo që fillimisht për palën arabe dhe menaxherin e Krujës u konsiderua joproblematike, teksa deklaruan se gjithçka do të likuidohej dhe sistemohej në kohën e duhur, por që me sa duket akoma nuk ka marrë rrugë. Të paktën, kështu deklarojnë burimet nga klubi Vllaznia ndërkohë që nga pala tjetër e konsiderojnë punë të kryer.
2 sezone
Ka luajtur Arsid Kruja me skuadrën e parë të Vllaznisë, duke koleksionuar 55 paraqitje dhe vetëm pesë gola të shënuar.
70 mijë
Dollarë duhet t’i paguante Vllaznisë për kartonin e Arsid Krujës, klubi aran Al Hajer, gjë që siç kuptohet nuk ka ndodhur ende.