
Pas dy ditëve qetësie, duke u nisur nga sot, pritet që të ketë zhvillime interesante në kampin krutan. Sipas administratorit, Altin Hoxha, mësojmë se në ditën e sotme pritet që drejtuesit e presidencës të vijojnë bisedimet me dy futbollistë të njohur të kampionatit tonë. Bëhet fjalë për Kate Fonsekën dhe Pinton, dy brazilianë që kanë luajtur edhe në Superligën tonë me skuadra të ndryshme. Ndryshe nga Pinto, që një edicion më parë është aktivizuar me Kukësin për sulmuesin Kate Fonskeka, është një njohje e afërt për sportdashësit krutanë, pasi ka qenë pjesë e sajë, dy edicione më parë ku skuadra krutane, ka qenë pjesë e kampionatit të Superligës. “Merkato për fuqizimin e skuadrës vazhdon dhe së shpejti do të ulemi në bisedime me dy futbollistë cilësorë, që më parë kanë qenë pjesë e kampionatit tonë. Bëhet fjalë për Pinton dhe Kate Fonskeën. Shpresojmë që me të dy futbollistë të gjejmë akordin e duhur“, do të shprehej mes të tjerash, administrator krutan, Altin Hoxha.
NIGERIANI KEHINDE – Ndërkohë, nga administratori krutanë mësojmë se pritet të mbërrijë nga moment në moment, mesfushori Oëoeye Amoo Kehinde, i cili mendohet të jetë pjesë e skuadrës në edicionin e ri futbollistik. Mesfushori Kehinde, ka qenë pjesë e skuadrës krutane një edicion më parë, në ndeshjet e fazës së parë, paraqitja e së cilit ka qenë mjaft e mirë. Në vijim të prononcimit të tij, administratori krutan pohoi se këto ditë ka pasur interesim nga stafi i tij, për një përfshirje të mundshme të ish-futbollistit të Apolonisë Sulaimon Adenkule. Por, nga ana tjetër ka mohuar që të ketë pasur interesim për ish-futbollistin e Kukësit, Roland Peqini.
OK
Dita e hënë mund të zbardhë shumë detaje në lidhje me futbollistët që do të jenë pjesë e skuadrës krutane, në procesin stërvitor.