Andi TANKU
Faza e katërt për Tiranën ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme. Dy ndeshje në këtë xhiro të fundit të kampionatit dhe bardheblutë regjistrojnë dy fitore në po kaq takime të kësaj faze. Suksesi ndaj Apolonisë dhe Flamurtarit, të dyja në transfertë kanë shtuar optimizmin në kampin e kryeqytetasve pas humbjes në derbi dhe barazimit në Durrës kundër Teutës. Dy rezultate negative që duket se janë hedhur pas krahëve nga Tirana, duke parë se tashmë diferenca me kreun është ulur në katër pikë. Javën e ardhshme, bardheblutë do ta luajnë në shtëpi kundër Vllaznisë, një sfidë e cila në letër duket e më se e kalueshme, pasi shkodranët janë tashmë një ekip pa pretendime reale në Superligë, edhe pse një gjë e tillë duket se nuk do të merret parasysh nga kryeqytetasit që do të duhet të vlerësojnë maksimalisht kundërshtarin.
KUPA- Por përpara përballjes kundër Vllaznisë për kampionat, Tirana do të ketë një tjetër sfidë mjaft vendimtare, këtë herë për një tjetër objektiv të sezonit, Kupën e Shqipërisë. Të mërkurën, të besuarit e trajnerit Magani do të presin në shtëpi Laçin për të zhvilluar gjysmëfinalen e parë të këtij kompeticioni. Shorti i Kupës së Shqipërisë i hedhur disa ditë më parë në ambientet e FSHF-së i rezervoi Tiranës një nga kundërshtarët që i ka hapur jo pak punë ekipit kryeqytetas. Kurbinasit, në kampionat kanë arritur t’i shkëpusin 24 herë kampionëve të vendit plot 7 pikë në tri ndeshjet e para. Tirana nuk njeh asnjë fitore ndaj Laçit në këtë sezon, ndaj edhe kjo përballje vjen në një moment vendimtar dhe ndoshta të përshtatshëm për të besuarit e Maganit. Kjo për faktin se ashtu siç kanë deklaruar së fundmi edhe disa prej titullarëve bardheblu, kundër ekipit kurbinas, Tirana ka llogari të hapura dhe do të kërkojë të “vendosë nderin në vend”. Megjithatë, përtej ndjenjës së revanshit, ajo që i intereson më shumë ambientit sportiv të kryeqytetasve është kalimi për në finalen e Kupës, ndërsa synimi është që ndeshja e parë ndaj Laçit, e cila do të luhet në Tiranë të jetë vendimtare. Një fitore me shifra të favorshme do të çonte ekipin bardheblu të qetë në ndeshjen e dytë që do të luhet në Laç, duke bërë që presioni të kalonte në kampin kurbinas. Ky do të jetë edhe synimi i radhës për Tiranën, e cila në këtë sezon është duke luftuar në dy fronte, kampionat dhe Kupë, ku rezultatet e arritura deri tani e cilësojnë si një nga pretendentet për të arritur me sukses te triumfi final.
2 FITORE
Ka arritur Tirana në po kaq takime të fazës së katërt të kampionatit, kundër Apolonisë dhe Flamurtarit, të dyja në transfertë.
1 PIKË
Kanë grumbulluar kryeqytetasit në tri sfidat e Superligës ndaj Laçit, duke koleksionuar 2 humbje dhe një barazim në këtë sezon.