Drejtori sportiv i Milanit ka mbyllur praktikisht marrëveshjen për kalimin e sulmuesit Andre Silva në huazim me të drejtë blerjeje te Sevilja, ndërsa sot është mbyllur marrëveshja e radhës.
Mesfushori Manuel Lokateli të hënën do të transferohet te Sasuolo, që e kërkon me ngulm prej qershorit.
20-vjeçari, i rritur te Milani, e ka kërkuar vetë largimin, sepse ndryshe nga dy sezone më parë, sezonin e shkuar nuk luajti shumë. Duke qenë në një moment të re të karrierës, ku i duhet të luajë, mesfushori qendror shkon te Sasuolo për 12 milionë euro, plus 2 milionë në bonuse.
Tifozët e Milanit e pëlqejnë shumë talentin e mesfushës, por në këtë pikë Leonardo është treguar shumë i shkathët, sepse ka bindur Sasuolon që të përfshije një klauzolë që e lejon Milanin ta riblejë Lokatelin, nëse ecuria e tij do të jetë e kënaqshme. Në këtë mënyrë, Milani nuk e humbet perfundimisht talentin e vet, por edhe Sasuolo ka interes ta aktivizojë sa më shumë, për t’ia rritur vlerën në treg.