Lajthit Etika, denon Liken, por ai nuk luajti ndaj Partizanit!
Nga FSHF-ja kanë ardhur edhe më para gafa të ndryshme, por kjo e djeshmja e Komisionit të Etikës është me kosto të lartë. Portieri i Flamurtarit, Ilion Lika, është dënuar për ndeshjen Partizani-Flamurtari, e zhvilluar në Durrës, ku në fakt ai nuk ishte fare në fushë. Një lajthitje e një komisioni, që ka në gjirin e tij edhe avokatë shumë të njohur. Gjithçka është interpretuar si një gabim dhe më pas është thënë se portieri është dënuar vetëm për ndeshjen me Kukësin në kampionat, ku skuadra vlonjate humbi 4-0 , ndërkohë që u paraqit në fushë me lojtarë të akademisë. Po si mund të bëhet një gabim i tillë në një shkresë zyrtare dhe aq më tepër të një komisioni të FSHF-së, që ka gjithë kohën e duhur për të shkruar si duhet ato pak radhë. Eshtë një vendim, që shumë dyshime pas, sepse të dënosh një lojtar që nuk ka luajtur, është vërtet një çmenduri nga ato që dimë të bëjmë vetëm ne shqiptarët.