
Andi TANKU
Shkëlqim Muça rrëfehet në 360 gradë. Herën e fundit që ka folur si trajner i Tiranës, 56-vjeçari e ka bërë në momentin e prezantimit në këtë post, pikërisht më datë 5 qershor, gati dy muaj më parë. I emocionuar dhe ende pa nisur aventurën e tij te bardheblutë në fushën e stërvitjes, Muça pohoi se nuk kishte shumë për të thënë, ndërsa ngjarjet te kryeqytetasit do të rridhnin më pas me shpejtësi të lartë. Si fillim, faza përgatitore 2-javore në Maqedoni, e cila tashmë ka përfunduar, për të vazhduar me përjashtimin e Erion Dushkut nga skuadra, deri te vetoja e trajnerit për të mos lënë të lirë Ervin Bulkun të huazohej te Skënderbeu. Për çështjen e fundit, numri 1 i stolit të Tiranës shprehet se ishte një vendim që u mor së bashku me kapitenin dhe gjithnjë në interes të ekipit. Për sa i përket rikthimit të Gentjan Muçës, trajneri i bardhebluve pret që një gjë e tillë të ndodhë në vazhdim, ndërsa kërkon nga tifozët të jenë më të duruar, pasi klubi po punon për të ndërtuar një Tiranë kompetitive për sezonin e ri.
– Si e shini gjendjen e ekipit pas 2 javësh përgatitjesh në Maqedoni?
– Kaluam një periudhë në kushte më se të favorshme atmosferike, por edhe në ato të akomodimit dhe terrenet sportive ku u stërvitëm. Zhvilluam katër ndeshje miqësore. Skuadra më ka dhënë sinjale pozitive dhe mendoj se ishte një periudhë që do të na ndihmojë shumë në vazhdim.
– Mos ndoshta do të ishte e nevojshme që kjo periudhë të zgjaste disi më shumë?
– Mendoj se jo. Kjo për faktin se kampionati është në prag. Ndaj duhet të ambientohemi me klimën në Shqipëri dhe të zhvillojmë disa ndeshje miqësore me ekipet e vendit tonë. Aty do të kemi mundësi të shohim sërish nga afër gjendjen e skuadrës dhe sjelljen e lojtarëve në fushë, ndaj kundërshtarëve me të cilët do të përballemi edhe në kampionat.
– Janë afruar tetë futbollistë së fundmi, a jeni i kënaqur nga merkatoja e verës?
– Ndërhyrjet e drejtuesve të klubit në këtë merkato kanë qenë cilësore, me lojtarë që ne si staf teknik i kemi pasur synime për të formatuar skuadrën. Sigurisht që nuk do të ndalemi me kaq, pasi gjithnjë jemi në kërkim të elementëve të tjerë cilësorë dhe që do të jenë në shërbim të objektivave për sezonin e ri.
– Në cilat reparte ka nevojë Tirana për të tjera përforcime?
– Mendoj se në sulm dhe në mbrojtje, pasi mesin e fushës e kemi siguruar tashmë.
– Tifozët mbeten ende skeptikë nga merkatoja dhe të pakënaqur, të paktën nga komentet e tyre, lënë të kuptohet se klubi po vonohet disi për të siguruar elementët që do të afrojë për sezonin e ri…
– Deri diku iu jap të drejtë, pasi jemi disi të vonuar në këtë aspekt. Por edhe kjo ka një arsye, e cila është më se objektive. Kjo për faktin se jemi duke kërkuar lojtarë të afirmuar dhe klubi do të investojë vetëm në ata elementë që do të na bindin plotësisht për aftësitë e tyre. Jemi gjatë gjithë kohës vigjilentë për të gjetur futbollistët e duhur, pasi nuk duam të përsëritim gabimet e së shkuarës, ku Tirana ka investuar në lojtarë që më pas nuk e kanë justifikuar besimin e klubit. Megjithatë dua t’iu them tifozëve se duhet të kenë durim. Kjo pasi nuk jemi duke qëndruar duarkryq dhe është e ditur se më të interesuar se ne që punojmë në këtë klub nuk është askush tjetër. Kjo duke filluar nga presidenti që investon, deri te ne si staf teknik. Çdo përgjegjësi për veprimet në merkato do të bien drejtpërdrejt mbi shpatullat tona, ndaj edhe ne nuk kemi asnjë interes për t’u vonuar apo për të hedhur hapat e gabuar.
– Së fundmi në skuadër është afruar Ivan Gvozdenoviç, tashmë në rolin e ndihmësit tuaj. Pse pikërisht një zgjedhje e tillë?
– Ivani e njeh mjaft mirë këtë klub, po ashtu edhe mentalitetin e futbollit shqiptar, pasi prej vitesh punon në kampionatin tonë. Së fundmi është pajisur me licencën e duhur dhe ishte gati për të nisur një aventurë të tillë. Ishte thjesht një zgjedhje teknike, të cilën ia kam kërkuar presidentit dhe mendoj se do të jetë mjaft i dobishëm në skuadër.
– Të kalojmë pak te çështja “Erion Dushku”. Mbrojtësi është përjashtuar nga skuadra pas situatës që u krijua në Mavrovë mes tij dhe fizioterapistit të ekipit. Si fillim ishit ju që i kërkuar të largohej nga grumbullimi dhe më pas klubi mori vendimin për ta përjashtuar. Ishte një vendim i drejtë sipas jush?
– Mendoj se në këtë çështje nuk ka shumë për diskutuar. Në kontratën e çdo futbollisti që nënshkruan me Tiranën është e përcaktuar në një pikë të veçantë, se thyerja e rregullave dhe disiplinës së klubit është e pafalshme. Një gjë e tillë ndodhi dhe klubi mori masat disiplinore ndaj lojtarit.
– Kahata edhe pse është ende nën kontratë nuk është rikthyer. Ju si trajner i skuadrës, e keni në plane mesfushorin kenian?
– Nuk mund të flas për lojtarët që nuk janë ende pjesë e ekipit të cilin unë po stërvit. Kjo është një çështje që i takon klubit dhe futbollistit në fjalë.
– Keni këmbëngulur që Gentjan Muça të rikthehet te Tirana. Besoni se do të ndodhë një gjë e tillë, në momentin që lojtari të përfundojë aventurën Europiane me Kukësin?
– Nga ana e klubit kam marrë aprovimin se Muça do të rikthehet. Në momentin që kam ardhur në skuadër nuk kam dashur që Genti të largohej drejt Kukësit, por ishte një dëshirë e lojtarit që të provonte këtë eksperiencë dhe nga ana jonë nuk pati asnjë pengesë. Kjo edhe për faktin se Muça nuk ishte nën kontratë me Tiranën. Në këto kushte nuk ke si të ndalosh një futbollist. Megjithatë, nga bisedat që kam bërë me drejtuesit e klubit më kanë konfirmuar se Gentjan Muça është pjesë e Tiranës në sezonin e ri.
– Një rast i ngjashëm si ai i Gentjan Muçës ishte edhe kërkesa e Skënderbeut për të huazuar nga Tirana, Ervin Bulkun. Por me kërkesën tuaj kapiteni nuk lëvizi nga skuadra, ndërsa në opinionin publik u përfol se Tirana nuk kërkon të ndihmojë korçarët në aventurën e tyre Europiane. Si qëndron e vërteta?
– Nuk është aspak e vërtetë që Tirana nuk dëshiron të ndihmojë Skënderbeun, apo këdo klub tjetër shqiptar për të ecur në Europë. Por vendimi u mor në unanimitet mes meje dhe Ervin Bulkut. U ulëm së bashku dhe biseduam si trajneri me kapitenin dhe vendosëm që për interes të Tiranës ai të mos largohej nga skuadra. Përpara interesave të skuadrës sonë nuk vendosim interesat e askujt dhe këtë gjë le ta marrë si të dojë kushdo. Kemi vepruar ashtu siç do të vepronte çdo klub tjetër në këtë rast. Sa për ta sqaruar situatën, nuk kamë qenë vetëm unë që kam vendosur që kapiteni ynë të mos largohej drejt Skënderbeut, por edhe vetë Ervini u ndërgjegjësua se kjo ishte zgjidhja më e mirë.
– Pse mendoni se ishte zgjidhja më e mirë, ose më saktë ku qëndronte problemi që Bulku të huazohej te Skënderbeu?
– I gjithë problemi ishte te kohëzgjatja e qëndrimit të Bulkut te Skënderbeu. Ai do të ishte i grumbulluar me skuadrën korçare për gait 3 javë. Nuk janë pak, pasi Ervini do të kthehej vetëm në momentin që do të startonte kampionati te Tirana. Por ekzistonte edhe një rrezik tjetër, ai i ndonjë dëmtimi të mundshëm të tij, çka do të ishte drejtpërdrejt në dëmin e Tiranës.
– Mos ndoshta i trembeshit edhe faktit që Ervin Bulku do të qëndronte më gjatë te Skënderbeu dhe jo vetëm për Kupat e Europës?
-Jo! As që e kam menduar një gjë të tillë, sepse kisha bindjen se Bulku do të rikthehej sërish në “shtëpinë” e tij.
– Por në fakt, marrëveshja ishte arritur mes dy presidentëve, çka dukej se huazimi i kapitenit te Skënderbeu ishte çështje orësh…
– Edhe këtu ekzistonte një problem tjetër. Drejtuesit e Skënderbeut folën drejtpërdrejt me Bulkun, por nuk më vendosën në asnjë moment në dijeni edhe mua si trajner i skuadrës së Tiranës. Kjo pasi vendimet për të lënë të lirë kontingjentin e futbollistëve që ke në organikë i takon edhe trajnerit. Personalisht e kam marrë vesh nga Bulku. Megjithatë, ne folëm edhe me presidentin Halili dhe i komunikuam vendimin që kishim marrë në unanimitet dhe ai na mirëkuptoi.
– Të kalojmë pak te objektivat e Tiranës për sezonin e ri, që primar, siç e keni pohuar edhe më parë është titulli kampion. Mund të përcaktoni se cilat skuadra do të jenë rivalet tuaja në këtë synim?
– Nuk mund ta them me siguri një gjë të tillë, sepse kampionati nuk ka nisur ende dhe skuadrat akoma janë në fazë riformatimi e sipër. Është e vështirë të bësh të tilla përcaktime.
– Meqenëse jemi në atmosferë “Championsi” dhe Skënderbeu luan në mesjavë një ndeshje të rëndësishme ndaj Milasamit. Nëse do të bënim një paralelizëm, korçarëve iu deshën 5 vite për të arritur deri në këtë fazë të rëndësishme në Kupat e Europës. Sa kohë mendoni se do t’i duhen Tiranës për të qenë në këto nivele si Skënderbeu në Europë?
– Çdo klub punon me projekte afatgjata dhe një gjë e tillë është edhe në “axhendën” tonë si skuadër. Nuk mund ta përcaktosh me saktësi periudhën që nevojitet për të qenë pranë hyrjes në evenimentet e mëdha sportive të Europës. Por, mendoj se duke punuar çdo ditë e më shumë me ide të qarta, koha do të jetë shumë e shkurtër. Ne jemi duke e bërë një gjë të tillë dhe jemi të bindur se suksesi nuk do të vonojë. Gjithashtu, gjej rastin që t’i uroj suksese edhe Skënderbeut në këtë aventurë dhe të arrijë objektivin e kërkuar.
7 SEZONE
Hera e fundit që ka drejtuar Shkëlqim Muça skuadrën e Tiranës ka qenë përpara 7 sezonesh.
3 HERË
Rikthimi i 56-vjeçarit në stolin bardheblu është i treti për të në karrierën e tij si trajner.
THONJËZA
“I gjithë problemi ishte te kohëzgjatja e qëndrimit të Bulkut te Skënderbeu. Ai do të ishte i grumbulluar me skuadrën korçare për gait 3 javë. Nuk janë pak, pasi Ervini do të kthehej vetëm në momentin që do të startonte kampionati te Tirana. Por ekzistonte edhe një rrezik tjetër, ai i ndonjë dëmtimi të mundshëm të tij, çka do të ishte drejtpërdrejt në dëmin e Tiranës”