Lojtarët konfirmojnë për “Panorama Sport” se kërkojnë nga klubi që të marrin pagat e prapambetura, për shkak se drejtuesit nuk i kanë shlyer ende. Lojtarët thonë se klubi u detyrohet atyre të paktën pesë paga. Ndërsa kapiteni Franc Veliu kërkon nga klubi 45 mijë euro. Kjo ka bërë që lojtarët të ndërmarrin këtë veprim, pra hedhjen në gjyq të klubit për të përfituar pagat e prapambetura. Seanca gjyqësore mes lojtarëve dhe klubit pritet që të zhvillohet javën që vjen, ndërsa lojtarët janë të vendosur për ta çuar deri në fund këtë çështje.
Konfirmimi i lojtarëve
Të kontaktuar nga “Panorama Sport”, Franc Veliu dhe Polizoi Arbri kanë konfirmuar gjyqin me klubin për mosmarrje të pagave. Lojtarët thonë se janë në pritje të telefonatës për të mësuar datën dhe orën e gjyqit, me qëllim që aty të përballen me drejtuesit e klubit dhe të kërkojnë detyrimet financiare që u takojnë. “Po, është e vërtetë që ne e kemi hedhur klubin në gjyq. Kërkojmë detyrimet financiare që na kanë. Ajo është djersa dhe gjaku ynë, kështu që nuk i lëmë. Me gjithë kërkesat e vazhdueshme për të na shlyer, drejtuesit nuk e bënë një gjë të tillë dhe ne na detyruan që të ndjekim të gjitha anët ligjore. Do ta kërkojmë të drejtën tonë deri në fund. Jemi në pritje të datës së seancës gjyqë- sore”, thonë lojtarët.
Reagimi i drejtuesve
Të kontaktuar nga “Panorama Sport” për çështjen e gjyqit të hapur nga lojtarët, drejtues të Klubit të Futbollit Flamurtari thonë se nuk kanë asnjë detyrim ndaj lojtarëve, përkundrazi, ata kanë ndaj klubit. “Nuk kemi asnjë detyrim ndaj këtyre lojtarëve. Janë ata që kanë ndaj nesh, që nga imazhi e deri te rendimenti që kanë pasur. U kemi thënë se nuk kemi detyrime për t’u shlyer dhe se ata nëse duan, kanë të gjitha të drejtat të vazhdojnë rrugët ligjore”, tha dje për gazetën një zyrtar i lartë i klubit.
3