“Dwamenan nuk do e lëshoj as për 10 milionë euro’, kështu do të shprehej presidenti i Egnatias, Agim Demrozi pas fitores në Kupës së Shqipërisë. Një deklaratë që vinte menjëherë pasi Raphael Dëamena me shokë bënë të mundur edhe fitimin për herë të parë të një trofeu për rrogozhinasit.
Cilësitë, talenti, potenciali dhe karakteristikat e sulmuesit kishin bindur kreun e klubit se 10 milionë eurot janë shumë pak dhe në kokën e Demrozit ishte projektuar një tjetër skuadër që të sillet rreth ganezit.
Në janar të këtij viti zbarkoi në Rrogozhinë, teksa në vetëm 10 muaj bëri për vetë të gjithë. Në këtë sezon në krah iu vendos shiriti i kapitenit, teksa në merkaton e verës numri një i rrogozhinasve refuzoi disa oferta në drejtim të tij, pasi Demrozi e kishte “djalin” e preferuar.
Dje ndodhi ajo që as në ëndrrat më të këqija nuk do ta kishte parë. Dwamena humbet ndjenjat dhe shembet në tokë. Pavarësisht ndihmës së mjekëve, sulmuesi mbylli sytë përgjithmonë rrugës për në spital.
Në momentin që ganezi po luftonte me vdekjen, në fushën e blertë zbriti edhe Agim Demrozi, personi që besoi më shumë se çdo kush tjetër tek ai. Presidenti shpërtheu menjëherë në lot, teksa gjendja e 28-vjeçarit ishte shumë kritike. Tashmë Demrozi u “dorëzua”, teksa Zoti kishte vendosur ta merrte pranë vetes lojtarin e preferuar të tij.
Dwamenan asnjë klub nuk ia mori dot, por “vdekja” ia rrëmbeu atë nga duart në sezonin që Egnatia është ndërtuar për titullin kampion dhe pas 12 javësh kryeson tabelën e klasifikimit. Tashmë në Rrogozhinë kanë edhe një motiv më shumë për të fituar trofeun e titullit, duhet ta bëjnë edhe për kapitenin e tyre, Dwamenan, që tashmë do t’i ndjekë nga lart.