Një qytetar ka ngritur shqetësimin e tij për situatën e ilaçeve të rimbursueshme, konkretisht për holluesin e gjakut, Xarelto 20 mg, të cilin të dy prindërit e tij pensionistë e kanë marrë deri para një muaji me rimbursim.
Deri kohët e fundit, prindërit e tij kanë ndjekur procedurën e zakonshme, duke marrë letrën nga mjeku i familjes dhe duke e çuar te kardiologu në Qendrën e Konsultave të QSUT, ku kardiologu planifikonte marrjen e ilaçeve në bazë të një afati të caktuar.
Megjithatë, në muajin e fundit, pensionistët janë përballur me një ndryshim të papritur. Tani, për të marrë ilaçet, u kërkohet të paguajnë 70,000 lekë të vjetra, një shumë që është e papërballueshme për ta, duke marrë parasysh pensionet e ulëta që marrin.
Qytetari thekson se kjo nuk është një situatë e izoluar, por një problem që prek shumë të moshuar dhe pacientë të tjerë që varen nga ilaçet për shëndetin e tyre.
Qytetari i kërkon Ministrisë së Shëndetësisë dhe Kryeministrit të ndërhyjnë urgjentisht për të zgjidhur këtë problem shëndetësor që po prek kategorinë më vulnerabël të shoqërisë, pensionistët pasi rritja me 400 lekë që morën ditët e fundit s’vlen për asgjë.
Denoncimi i qytetarit:
Pershendetje Kam një ankesë për ministrinë e shëndetësisë për ilaçet e holluesit të gjakut, Xarelto 20 mg
Kam të dy prindërit pensionista. Deri para 1 muaji i merrnin ilaçet me rimbursim, merrnin letrën nga doktori i familjes e i dërgonte për te kardiologu. Kardiologu i planifikonte kur t’jua vite data
Shkonin te qendra e konsultave te QSUT te kardiologu. Tash që shkuan ti merrnin për 1 muaj të dy duhet të paguanin 70 mijë lekë të vjetra.
Kjo është e papërballueshme për ta. Ju lutem merruni me këtë problem shëndetësor. Pensionet i kanë të ulëta
Nuk janë vetëm prindërit e mi por ka edhe të tjerë. Ju lutem merruni deri te ministria e shëndetësisë e kryeministri