Armando Broja vazhdon të jetë një temë mjaft aktuale në futbollin anglez, ndonëse në kohët e fundit nuk ka arritur të tundë rrjetën me aq rregullsi sa në pjesën e parë të sezonit. Sulmuesi i përfaqësueses shqiptare është një objektiv i merkatos së futbollistëve dhe duket se klubi i Uest Hemit është gati të bëjë gjithçka për të siguruar firmën e tij.
Devid Mojes, ish-trajneri i Mançester Junajtidit, i cili aktualisht drejton Uest Hemin, ka piketuar Brojën si një emër i cili mund të garantojë repartin e avancuar për shumë vite. Fillimisht ai tentoi ta blinte në janar, por nuk pati sukses e mendon se as në këtë verë nuk do të sigurojë firmën e tij nëse i kërkon Çelsit që t’i shesë kartonin e futbollistit.
